Këshilli i Ministrave ka miratuar një paketë të re mbështetëse financiare për vitin 2026, e destinuar për Ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM) që operojnë në Shqipëri. Me një buxhet total prej 100 milionë lekësh, nisma synon të rrisë konkurrueshmërinë e bizneseve vendase, duke stimuluar inovacionin, rinovimin teknologjik dhe nxitjen e tyre drejt tregjeve të eksportit.
Vendimi i qeverisë pritet të zbatohet nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit në bashkëpunim me Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), duke ofruar një mundësi të artë për sipërmarrjet që kërkojnë të modernizojnë shërbimet e tyre.
Tavani i financimit dhe kushtet skualifikuese
Sipas dokumentit të miratuar, skema ofron një mbulim të plotë prej 100% të kostove për projektet fituese. Megjithatë, mbështetja financiare për çdo biznes individual nuk mund të kalojë tavanin maksimal prej 2.5 milionë lekësh të rinj. Kjo shumë do t’u disbursohet subjekteve fituese e ndarë në dy këste.
Vendimi saktëson një kusht të rreptë skualifikues për të shmangur mbivendosjen e fondeve: asnjë biznes që ka përfituar më parë burime financimi për të njëjtat aktivitete nga donatorë të tjerë, qofshin këto institucione kombëtare apo ndërkombëtare, nuk do të kualifikohet për këtë skemë.
Katër fushat ku lejohen investimet
Buxheti shtetëror është përcaktuar të shkojë ekskluzivisht për mbulimin e “shpenzimeve korrente” në katër drejtime specifike që synojnë modernizimin e NMVM-ve si standardizimi që ka të bëjë me kostot për certifikimin e standardeve të prodhimit apo shërbimit, përfshirë edhe shpenzimet e konsulencës përgatitore.
Përmirësimi i produkteve përmes ambalazhimit dhe etiketimit të ri; financimi i trajnimeve për rritjen e kapaciteteve në menaxhimin e teknologjive dixhitale, logjistikë apo marketing (me kushtin që të kryhen nga subjekte të licencuara); zhvillimi i aplikacioneve, platformave digjitale, apo softuerëve që përmirësojnë procesin e shitjes online dhe logjistikës.
Çfarë kërkohet nga plani i biznesit?
Konkurrenca për të përfituar këto grante do të bazohet te cilësia e planeve të biznesit që do të dorëzojnë sipërmarrësit. Përtej kërkesave administrative dhe dorëzimit të dokumentacionit origjinal brenda 30 ditëve, VKM-ja thekson disa kritere thelbësore vlerësimi.
Projektet fituese duhet të provojnë përmes të dhënave konkrete se investimi do të çojë në rritjen e numrit të të punësuarve. Gjithashtu, një peshë të rëndësishme në vlerësim do të ketë orientimi drejt eksportit, ndikimi pozitiv në mbrojtjen e mjedisit dhe përcaktimi i objektivave e rezultateve qartësisht të matshme.