Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e nëntë të Qeverisë së Kosovës, ka bërë të ditur se Projektbuxheti për vitin 2027 parasheh rritjen e koeficientit të pagave nga 110 në 120 euro, duke filluar nga 1 korriku i vitit të ardhshëm.
Sipas paralajmërimit të Kurtit, buxheti i vitit 2027 parasheh ndarjen e pagës së 13-të në pjesën e parë të vitit, ndërsa në pjesën e dytë do të realizohet rritja e pagave për punonjësit e sektorit publik.
“Njësoj sikurse sivjet, buxheti i 2027 parasheh edhe në vitin tjetër pagën e 13-të, dhe krahas saj edhe rritjen e koeficientit të pagave në 120 euro nga data 1 korrik 2027. Pra, në pjesën e parë të vitit paga e 13-të, kurse në pjesën e dytë të vitit rritje e pagës për të gjithë nëpunësit që marrin pagë nga buxheti”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka bërë të ditur se buxheti i përgjithshëm për paga do të arrijë në 1 miliard e 85 milionë euro, ndërsa sipas tij, kjo shumë, e ndarë për rreth 85 mijë punonjës të sektorit publik, paraqet një pagë mesatare vjetore bruto prej mbi 12 mijë eurosh.
“Kjo e çon buxhetin e pagave në 1 miliardë e 85 milionë euro, e që kur pjesëtohet me rreth 85 mijë punonjës të publikut, paga mesatare vjetore bruto rezulton mbi 12 mijë euro, apo mbi 1 mijë euro bruto në muaj, gjë që nënkupton edhe përmbushjen e njërit nga premtimet tona për mandatin e radhës qysh në vitin e ardhshëm”, ka thënë Kurti.