Kandidati për kryeministër të Kosovës, Bedri Hamza, është zotuar publikisht për rritje të ndjeshme të pagave dhe pensioneve, duke e cilësuar këtë si një nga prioritetet kryesore të qeverisjes së tij.
Hamza ka deklaruar se paga mesatare do të rritet nga 800 në 1.200 euro, ndërsa pensioni minimal do të arrijë në 250 euro. Sipas tij, rritja e pagave do të përfshijë të gjitha kategoritë kyçe të sektorit publik.
“Pagat do të rriten për mësimdhënësit, mjekët dhe infermierët, ushtarët dhe policët, zjarrfikësit si dhe për të gjithë shërbyesit civilë”, ka theksuar Hamza.
Ai ka shtuar se rritja e standardit jetësor dhe forcimi i shtresës së mesme janë të domosdoshme për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe për ndaljen e migrimit të qytetarëve nga vendi.
Hamza nuk ka dhënë ende afate konkrete për zbatimin e këtyre masave, por ka theksuar se ato do të realizohen përmes rritjes ekonomike, menaxhimit më efikas të buxhetit dhe luftimit të keqpërdorimeve financiare.