Shtesat për fëmijë – ky është postimi i fundit i ministrit Murati

Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj premtimeve të opozitës lidhur me shtesat për fëmijë, duke i quajtur ato të pasinqerta dhe kontradiktore me veprimet e tyre gjatë dy dekadave të fundit.

Sipas Muratit, opozita fillimisht kishte deklaruar se nuk kishte buxhet për shtesa për fëmijë, ndërsa më pas, kur qeveria siguroi mjetet dhe nisi zbatimin e skemës, i kishte cilësuar ato si të pamjaftueshme dhe i kishte përqeshur publikisht.

“Tash kur i rritëm e do t’i dyfishojmë përsëri në 90 euro në muaj për mandatin që vjen, opozita kanë filluar e po premtojnë se do t’i bëjnë shtesat nga 50 euro në muaj”, ka shkruar Murati.

Ai ka ngritur dyshime mbi besueshmërinë e këtyre premtimeve, duke theksuar se për rreth 20 vjet qeverisje, opozita aktuale nuk kishte ndërmarrë asnjë politikë konkrete për mbështetjen financiare të fëmijëve në Kosovë.

Postimi i Muratit vjen në kohën kur debati për politikat sociale dhe mbështetjen e familjeve është intensifikuar, veçanërisht në prag të zgjedhjeve të ardhshme.

Postimi i plotë:

Opozita dhe shtesat për fëmijë

Shtesat për fëmijë fillimisht thanë që nuk bëhen, sepse s’ka buxhet.

Pastaj kur u gjet buxheti dhe u bënë shtesat, thanë që janë pak e i përqeshën si vitra.

Tash kur i rritëm e do t’i dyfishojmë përsëri në 90 euro në muaj për mandatin që vjen, opozita kanë filluar e po premtojnë se do t’i bëjnë shtesat nga 50 euro në muaj.

Por a ka kush që u beson opozitës, të cilët për 20 vite me radhë asnjëherë nuk u kujtuan që Kosova kishte fëmijë dhe duhej mbështetur?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *