Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se anija me ndihmën humanitare të Qeverisë së Kosovës, e dedikuar për popullin e Gazës, është nisur nga porti i Mersinit në Turqi.
Sipas Kurtit, dërgesa humanitare, me vlerë rreth 500 mijë euro, përfshin tenda, pako ushqimore, batanije si dhe 158 mijë racione ushqimi të ngrohtë, të destinuara për banorët e Gazës që po përballen me mungesa të mëdha.
Ai theksoi se vendimi për këtë ndihmë ishte marrë që në muajin janar, por realizimi i tij u bë i mundur vetëm pas marrëveshjes së fundit të paqes, të arritur nën udhëheqjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Kurti vlerësoi se kjo ndihmë përfaqëson angazhimin e Kosovës në kuadër të solidaritetit ndërkombëtar dhe përkushtimin për të mbështetur popullatën civile në Gaza. Ai shtoi se Qeveria aktuale është e para e Republikës së Kosovës që ofron ndihmë humanitare për këtë zonë.
Në fund, kryeministri në detyrë shprehu mirënjohje për Republikën e Turqisë dhe Gjysmëhënën e Kuqe Turke për bashkëpunimin dhe mbështetjen në realizimin e këtij operacioni humanitar.