Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar Pakon për Përballje me Inflacionin 2.0, si një nga vendimet kryesore që do të miratohen në fillim të mandatit të ardhshëm, nëse ai zgjidhet sërish kryeministër.
Sipas Kurtit, kjo pako parashihet të ketë vlerë prej 200 milionë euro dhe synon zbutjen e ndikimit të inflacionit te shtresat më të prekura të shoqërisë. Nga kjo masë pritet të përfitojnë mbi 200 mijë familje në Kosovë.
Pakoja përfshin mbështetje financiare për pensionistët, fëmijët që përfitojnë shtesa, studentët, si dhe punëtorët e sektorit privat. Po ashtu, është paraparë subvencionim i faturave të energjisë elektrike për familjet që kursejnë energjinë, si pjesë e politikave për menaxhim më efikas të konsumit.
Ky zotim vjen në kuadër të një liste me pesë vendime të para të paralajmëruara nga Kurti për mandatin e ardhshëm, ku përfshihen edhe buxheti i vitit 2026, ligji për çmimet tavan dhe paga e 13-të për shërbyesit publikë, por fokusi kryesor elektoral, sipas deklarimit, mbetet përballja direkte me inflacionin dhe koston e jetesës.