Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar se është ekzekutuar pagesa e shtesës së njëhershme prej 100 eurove, e cila ishte paralajmëruar javën e kaluar nga kryeministri Albin Kurti.
Sipas Muratit, shtesa është transferuar për fëmijët nga mosha 0 deri në 16 vjeç, përfituesit e pensioneve bazike dhe kontributive, kategoritë e luftës, personat me aftësi të kufizuara si dhe skemat tjera sipas kritereve të vendimit qeveritar.
Ai tha se pagesa tashmë është proceduar dhe përfituesit pritet t’i shohin mjetet në llogaritë e tyre bankare gjatë orëve në vijim, në varësi të bankës ku mbajnë llogarinë.
Njoftimi vjen në prag të ndërrimit të motmotit, ndërsa ministri ua uroi qytetarëve Vitin e Ri.
Postimi:
Ekzekutohet pagesa e shtesës së njëhershme prej 100 euro! 🎉
Ashtu siç kishte njoftuar Kryeministri Kurti javën që shkoi, sot kemi bërë transferimin e shtesës së njëhershme prej 100 eurove për fëmijët 0-16 vjeç, si dhe për përfituesit e pensioneve bazike, kontributive, kategoritë e luftës, aftësive të kufizuara, dhe skemave tjera sipas kritereve të përcaktuara në vendim.
Varësisht nga banka ku përfituesit kanë llogarinë, në orët në vijim do të pranojnë edhe mjetet e transferuara.
Gëzuar Vitin e Ri!