Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se nga viti i ardhshëm, me rritjen e pagës minimale në 500 euro, do të rriten edhe përfitimet për nënat lehona dhe fëmijët, si pjesë e politikave sociale të Qeverisë Kurti.
Sipas Muratit, shtesat për nënat lehona të papuna do të arrijnë në 500 euro në muaj për gjashtë muaj rresht, që nënkupton 3,000 euro mbështetje direkte nga shteti për secilën nënë gjatë gjashtëmujorit të parë pas lindjes.
Ai ka shtuar se përveç kësaj, rriten edhe shtesat mujore për fëmijët, të cilat do të jenë 90 euro në muaj, apo 1,080 euro në vit. Kjo bën që vetëm në vitin e parë pas lindjes, mbështetja totale për një nënë të re të kalojë shumën prej 4,000 euro.
Murati ka theksuar se shtesat për fëmijë do të vazhdojnë çdo vit në vlerë prej 1,080 euro deri në moshën 16-vjeçare. Sipas përllogaritjeve të tij, kjo do të thotë se shteti do të japë mbi 20 mijë euro për secilin fëmijë, nga lindja deri në moshën 16 vjeç.
Në fund të reagimit të tij, Murati ka theksuar se këto masa përbëjnë një nivel të paprecedentë të mbështetjes sociale dhe ka pyetur publikisht nëse ndonjëherë më parë ka pasur qeveri që ka ofruar përkrahje të tillë për familjet dhe nënat e reja.