Lajm i mirë: Qeveria paralajmëron rritjen e pensioneve, ja sa do bëhen

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me pensionistët në Njësinë nr. 2 në Tiranë, ku u ndal te rritja ekonomike, politikat sociale dhe reforma e pensioneve.

Gjatë takimit, Rama theksoi se qeveria do të vijojë mbështetjen për pensionistët përmes bonusëve të përvitshëm dhe rritjes graduale të pensioneve sipas kategorive.

Ai u shpreh se objektivi është që deri në vitin 2030 pensionet të pesëfishohen, duke përmirësuar ndjeshëm nivelin e jetesës për këtë kategori.

“Për çështjen e pensioneve jemi në një fazë tjetër. Ne kemi pasur shumë problem faktin që s’arrinim dot t’i rrisnim pensionet. Pas një periudhe të vështirë ku u desh të lanim shumë borxhe, ndesheshim në mënyrë të vazhdueshme me këtë stres nga ana e pensionistëve që realisht e kanë më të vështirë se të tjerët. E vetmja gjë që kemi bërë, ka qenë indeksimi i pensioneve, por që nuk është rritje në kuptimin e vërtetë të fjalës.

Më në fund, erdhi momenti kur ekonomia na e krijoi këtë mundësi., Nga janari i këtij viti ju merrni pensione më të larta. Në çdo janar pensioni do rritet. Janarin e ardhshëm rritja do jetë dyfishi i rritjes së këtij janar, janarin e 2028-ës do jetë trefishi, janarin e 2029-ës katërfishi dhe në 2030-ën 5 –fishi.

Kemi diskutuar dhe për ndryshimet që do bëjmë në skemën e pensioneve për të thelluar reformën e pensioneve duke filluar të krijojmë një hapësirë tjetër për ata që do duhen të kursejnë më shumë për një pension më të lartë në të ardhmen, ku shteti do të fusë kontributin e vetë”, deklaroi Rama.

Kryeministri theksoi se do të rishikohet skema aktuale për pensionistët e vetëpunësuar dhe për ata që vazhdojnë punën edhe pse kanë mbushur moshën e pensionit. Një tjetër çështje në të cilën u ndal Rama ishte dhe mbështetja për personat me aftësi të kufizuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *