Luftanijet amerikane arrijnë në Lindjen e Mesme, Trump thotë se Irani dëshiron të bisedojë

Një grup aeroplanmbajtësish amerikanë kanë arritur në Lindjen e Mesme më 27 janar, ndërsa tensionet po rriten lidhur me një sulm të mundshëm ndaj Iranit, pas një shtypjeje brutale të protestave, që sipas grupeve për të drejtat e njeriut kanë lënë të vrarë mijëra persona.Në mes të trazirave, valuta iraniane, riali, ra në nivelin më të ulët kundrejt dollarit, duke u këmbyer me 1.5 milion rialë më 27 janar.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se “shpreson” që të mos ketë nevojë për veprim ushtarak ndaj Iranit, por ai po ashtu ka dërguar një “flotë” në rajon, duke refuzuar që të heqë nga opsionet sulmet ajrore si përgjigje ndaj shtypjes së protestuesve, kryesisht paqësorë, të cilët dolën në rrugë javët e fundit për të kërkuar veprime për të ndalur inflacionin dhe zhvlerësimin e valutës.

Organizata për të drejtat e njeriut me seli në SHBA, HRANA, shifrat e së cilës Radio Evropa e Lirë i ka cituar rregullisht që nga fillimi i shtypjes së dhunshme të protestave në Iran, thotë se numri i konfirmuar i të vdekurve, përfshirë të forcave të sigurisë, tani ka arritur në 6.126, ndërsa numri i viktimave që ende po hetohen është 17.091.

Disa vlerësime nga zyrtarë të cituar jozyrtarisht nga media të ndryshme janë disa herë më të larta.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha për Axios në një intervistë më 26 janar se situata me Iranin “po ndryshon” sepse ai ka dërguar një “flotë të madhe” në rajon, me një grup sulmues të udhëhequr nga aeroplanmbajtësi USS Abraham Lincoln, tashmë në ujërat e Lindjes së Mesme, sipas Komandës Qendrore të SHBA-së.

Por, Trump shtoi se mendon që Teherani vërtet dëshiron të arrijë një marrëveshje.

“Ata duan të arrijnë një marrëveshje. Na kanë thirrur në disa raste. Ata duan të flasin”, citohet të ketë thënë Trump.

Protestat nisën më 28 dhjetor në tregjet e kryeqytetit iranian, Teheran, mes zemërimit të tregtarëve për kushtet e rënda ekonomike. Demonstratat u përhapën me shpejtësi në mbarë shtetin dhe u shndërruan në protesta kundër autoriteteve për shkak të përkeqësimit të standardit të jetesës dhe shtypjes së lirive.

Rënia e rialit kundrejt dollarit vjen në një kohë kur norma vjetore e inflacionit ka arritur në 44.6 për qind, përfshirë një rritje gati 90 për qind nga viti në vit të çmimeve të ushqimeve. Ekonomia e Iranit është përballur me vështirësi për vite të tëra për shkak të sanksioneve ndërkombëtare dhe pasojave të luftës 12-ditore që zhvilloi me Izraelin qershorin e vitit të kaluar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *