Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar se mbi 90 mijë familje në Kosovë kanë përfituar këtë muaj nga subvencionimi i faturave të energjisë elektrike, si pjesë e programit për mbështetjen e kategorive të cenueshme.
Murati deklaroi se programi mbulon periudhën 6-mujore të dimrit, nga tetori deri në mars, ndërsa subvencioni aplikohet çdo muaj drejtpërdrejt në faturë dhe mund të shihet në llogarinë online të konsumatorëve tek furnizuesi i energjisë.
Në njoftim, ai paralajmëroi se një nga vendimet e para pas datës 28 dhjetor, nëse qeveria aktuale siguron mandatin e ri, do të jetë rikthimi i masës për subvencionim të faturave për ata që kursejnë energjinë elektrike. Sipas Muratit, kjo masë më parë ka mbështetur mbi 200 mijë familje.
Ky është një nga programet sociale që qeveria thotë se synon të zbusë barrën e kostos së energjisë për familjet me të ardhura të ulëta, sidomos gjatë sezonit të dimrit.