Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar miratimin e Buxhetit për vitin 2026 si një lajm shumë të mirë për Republikën dhe qytetarët e vendit.
Përmes një postimi publik, Kurti rikujtoi se buxheti ishte dashur të miratohej në fund të vitit të kaluar, por procesi u finalizua vetëm tani. Ai falënderoi deputetët për votën mbështetëse, si dhe për vërejtjet dhe kritikat e dhëna gjatë debatit, duke theksuar se ato do të trajtohen në rishikimin e ardhshëm të buxhetit.
Sipas tij, buxheti i miratuar kap vlerën prej rreth 4 miliardë euro. Nga kjo shumë, 867 milionë euro janë të destinuara për komunat.
Buxheti përfshin edhe pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik, si dhe ndryshimin që mundëson dyfishimin e shtesës për përvojën e punës nga 0.25 për qind në 0.50 për qind për 15 vitet e para të shërbimit.
Një tjetër pikë e rëndësishme është shtyrja e afatit për zbatimin e shkallës progresive të tatimit në pronë, deri në miratimin e Ligjit të ri për Tatimin në Pronë, në konsultim me komunat.
Kryeministri bëri të ditur se buxheti parasheh edhe rritje të mbështetjes për barna esenciale, kulturë dhe sport, si dhe për ndërmarrësit në sektorin privat dhe bujqit. Po ashtu, janë planifikuar investime shtesë në infrastrukturën publike.