Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se Qeveria ka ndarë 1.65 milionë euro për mbështetjen e studentëve përmes programit “Bursa e Mobilitetit”, i cili për herë të parë do të fillojë zbatimin këtë vit.
Murati tha se ky program do të mbështesë grupin e parë prej 10 mijë studentësh, ndërsa pagesat do të realizohen pas konfirmimit nga universitetet për vijueshmërinë dhe aktivitetin e tyre akademik.
Sipas tij, “Bursa e Mobilitetit” synon lehtësimin e barrës financiare për studentët që vijnë nga familje me mundësi të kufizuara ekonomike dhe nga zonat më të largëta të vendit.
“Niveli i bursës do të përcaktohet varësisht nga vendbanimi i studentit dhe vendi ku ai studion”, tha Murati, duke theksuar se programi pritet të ketë impakt të madh social dhe arsimor.