Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar se krahas shtesës njëherëshe prej 100 euro për fëmijët dhe pensionistët, në fillim të mandatit të ardhshëm planifikohet edhe një pako e gjerë mbështetëse ekonomike.
Sipas tij, Pakoja “Përballja me Inflacionin 2.0” do të përfshijë mbështetje direkte për studentët, punëtorët e sektorit privat, si dhe rikthimin e masës për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike për konsumatorët që kursejnë.
Murati deklaron se kjo pako do të jetë pjesë e pesë vendimeve të para të Qeverisë Kurti 3, nëse mandati konfirmohet pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Masat synojnë të lehtësojnë presionin ekonomik nga inflacioni dhe të mbështesin kategoritë që preken më shumë nga kostoja e jetesës.
Postimi i plotë:
Përveç mbështetjes së fëmijëve dhe pensionistëve me shtesën e njëhershme prej 100 eurove, qysh në fillim të mandatit të ardhshëm do të kemi edhe:
– mbështetjen e studentëve,
– mbështetjen të punësuarve në sektorin privat,
– rikthimin e masës për subvencionimin e atyre që kursejnë energjinë elektrike.
Kjo mbështetje do të bëhet në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0 e cila do të miratohet në kuadër të 5 vendimeve të para të Qeverisë Kurti 3.