Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka deklaruar se paga e 13-të për punëtorët e administratës publike do të realizohet me Ligjin e Buxhetit për vitin 2026, i cili tashmë është miratuar në Qeveri dhe pritet të kalojë në dy lexime në legjislaturën e ardhshme të Kuvendit.
Kurti sqaroi se e drejta për pagën e 13-të do t’u takojë të gjithë të punësuarve që punojnë 12 muaj në administratën shtetërore, por pagesa nuk do të kryhet në fund të vitit, siç zakonisht pritet, por në fillim të vitit të ardhshëm buxhetor.
Kryeministri në detyrë theksoi se paralelisht me vendimin për buxhetin, në mbledhjen e parë qeveritare do të procedohet edhe vendimi për ekzekutimin e pagës së 13-të, ndërsa paralajmëroi se “përveç saj do të ketë edhe tri vendime tjera”, pa dhënë detaje shtesë.
Kurti kërkoi që deklarimi të mos lidhet me fushatën zgjedhore, duke nënvizuar se zgjedhjet kanë përfunduar dhe proceset tani presin veprim institucional.
“Për të gjithë punëtorët e administratës publike me ligjin e buxhetit për vitin 2026-të të cilin e kaluam njëherë në mbledhjen e Qeverisë me 31 tetor sivjet, pro të cilin tash në legjislaturën e 10 kur të konstitutohet Kuvendi do ta kalojmë në dy lexime. Kam thënë që me këtë ligj të buxhetit parashihet paga e 13-të kush punon 12 muaj në administratën shtetërore i ka 13 paga por paga e 13-të nuk merret në fund të vitit. Në dhjetorin e vitit 2026, por në vitin që do të nisë nesër. Do të merret në fillim të vitit, varësisht kur konstiutohet Kuvendi dhe sa shpejtë e formojmë Qeverinë. Pro në mbledhjen e parë përveç me vendimin për ligjin për buxhetin 2026, gjithashtu do ta kemi edhe vendimin që pagën e 13-të e jep në fillim të vitit, do t’i kemi edhe tri të tjera. Por mos ta përsëris veten nga fushata pra zgjedhjeve sepse ato përfunduan të dielën”, tha Kurti.