Paga mbi 1 mijë euro – ky sektor ‘lulëzon’ në Kosovë

Viteve të fundit në Kosovë është vërejtur fenomeni i rritjes së madhe të sektorit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (ICT), veçanërisht në mesin e të rinjve kosovarë. Ky sektor duket se po lulëzon çdo ditë e më shumë, përkundër gjendjes së rëndë ekonomike dhe politike në vend, shkruan Gazeta Metro.

Të rinjtë në Kosovë kanë filluar të interesohen goxha shumë në këtë sektor të rëndësishëm për kohën në të cilën jetojmë, edhe pse sistemi arsimor nuk u ofron atyre kurrfarë përgatitje për një të ardhme në teknologji.

Ndonëse ekonomia në vendin tonë nuk po shënon ndonjë ngritje serioze, me pagën mesatare neto që raportohet të jetë rreth 500 euro sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ICT-ja përbën përjashtim nga ky ”rregull” i zymtë.

Pa lënë anash sfidat e shumta dhe përkrahjen e vogël nga qeveria, sektori i teknologjisë po arrin të ketë depërtim tejet të shpejtë në treg, duke ofruar mundësi dhe paga të larta për punëtorët e rinj.

Sipas matjeve të fundit në mesin e atyre që janë në marrëdhënie pune me kompanitë e teknologjisë në Kosovë, paga mesatare është 1 mijë e 90 euro në muaj.

Në një debat interesant për inovacionin dhe teknologjinë në Kosovë, Shpend Lila nga Qendra Inovative e Kosovës (ICK) tha se ky sektor ka rritje organike, pra si rrjedhojë e aftësisë dhe meritës së vetë inovatorëve, por jo me përkrahje nga shteti.

Pra, në një kohë kur vendi është i mbuluar nga kriza politike me tërë vitin 2025 pa qeveri efektive, sektori i teknologjisë, ndoshta i vetmi, po arrin të korrë suksese dhe të shndërrohet në motor serioz të ekonomisë dhe punësimit, posaçërisht për të rinjtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *