Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Viktor Buzhala, ka deklaruar se paga minimale në Kosovë shumë lehtë mund të arrijë në 1.000 euro, duke u bazuar në të dhënat mbi qarkullimin e bizneseve në vend.
Sipas Buzhalës, bizneset në Kosovë realizojnë mbi 23 miliardë euro qarkullim vjetor, ndërsa për paga shpenzojnë vetëm rreth 3.5 miliardë euro, apo 14 për qind të të ardhurave. Ai thekson se kjo përqindje është dukshëm më e ulët krahasuar me vendet evropiane, ku mbi 30 për qind e të ardhurave të bizneseve shkojnë për paga.
Buzhala ka shtuar se qarkullimi i bizneseve në Kosovë është rritur për më shumë se 80 për qind gjatë katër viteve të fundit, nga 12.5 miliardë euro në rreth 23 miliardë euro në fund të vitit 2024. Sipas tij, këto trende krijojnë hapësirë reale për rritje të ndjeshme të pagës minimale.
Ai ka theksuar se objektivi i tij politik është që paga minimale prej 1.000 eurosh të bëhet realitet, duke e konsideruar këtë si një masë kyçe për të frenuar migrimin ekonomik nga Kosova.