Kosova vazhdon të mbetet vendi me tregun më pasiv të punës në Ballkanin Perëndimor. Sipas analizës së re krahasuese 2024–2025 të Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, vendi shënon normë punësimi vetëm 38.6% dhe normë aktiviteti 43.2%, vlerat më të ulëta në rajon.
Të dhënat u prezantuan në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, në aktivitetin e organizuar në kuadër të projektit rajonal “Activities for Promoting and Advancing Decent Work in Western Balkans Countries”, i mbështetur nga European Fund for the Balkans.
Krahasimi rajonal: Kosova në fund të listës
Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia paraqiten dukshëm më mirë, me treg të punës më aktiv dhe norma më të larta punësimi. Maqedonia e Veriut dhe Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës gjithashtu kanë norma aktiviteti nën 50%, por me dinamika më stabile se Kosova.
Në anën tjetër, Republika Srpska shënon një normë të lartë punësimi – 57.7% – megjithëse me pjesëmarrje më të ulët në treg.
Profesoresha Adriana Gashi theksoi rëndësinë e analizimit të këtyre çështjeve në dimension rajonal, ndërsa Drenusha Canolli nga IPS “Musine Kokalari” bëri të ditur se raporti mbulon të gjitha vendet e rajonit, duke ofruar për herë të parë një krahasim të plotë për vitin 2024–2025.
Të drejtat e punëtorëve nën presion në gjithë Ballkanin
Raporti nxjerr në pah problematika të përbashkëta: paga të ulëta, mbingarkesë orari, mungesë sigurie në punë dhe dialog social të dobët. Punëtorët vazhdojnë të mbeten të pambrojtur dhe shkeljet shpesh nuk adresohen nga institucionet përgjegjëse.
Paga minimale në asnjë vend të rajonit nuk e mbulon shportën bazike të jetesës. Në disa prej tyre, mbulimi bie nën 40%.
Kosova ka pagën minimale më të ulët në rajon – 342 euro.
Vendimi i qeverive fqinje:
Shqipëria – 420 euro Maqedonia e Veriut – 392 euro Serbia – 460 euro Republika Srpska – 460 euro Federata e Bosnjës – 511 euro Mali i Zi – 550 euro (më e larta në rajon)
Këto të dhëna u prezantuan nga Visar Ymeri, drejtori ekzekutiv i IPS “Musine Kokalari”.
Orari i punës dhe mbingarkesa: Kosova sërish përjashtim negativ
Në shumicën e vendeve të rajonit konstatohet tejkalim i orarit ligjor – sidomos në ndërtim, prodhim dhe shërbime.
Kosova përmendet si shembulli më problematik: është i vetmi vend ku puna jashtë orarit nuk paguhet me normë shtesë, pavarësisht harmonizimit formal të ligjeve me standardet e BE-së.
Aksidentet në punë: rreziku mbetet i lartë
Numrin më të lartë të vdekjeve në punë e ka Serbia – mbi 50 raste në vit.
Maqedonia e Veriut – 17 vdekje
Federata e Bosnjës – 9 vdekje, 438 lëndime serioze
Republika Srpska – 10 vdekje, 97 lëndime serioze
Kosova – 7 vdekje në 2024
Pabarazia gjinore: gratë mbeten pas në gjithë rajonin
Pjesëmarrja e grave në tregun e punës mbetet e ulët kudo në Ballkan. Kosova ka njërën nga normat më të ulëta, vetëm 34.7%.
Në Federatën e Bosnjës, vetëm 30.6% e grave janë të punësuara.
Maqedonia e Veriut rezulton më e balancuar, me hendek gjinor 16.5%.
Hendeku i pagave në Kosovë arrin 18.6%, në Serbi 13–14%, ndërsa në Maqedoni rreth 10%.
Qëllimi i raportit
Analiza synon të nxisë institucionet, sindikatat dhe organizatat e shoqërisë civile që të shtyjnë përpara standardet e punës dinjitoze në Kosovë dhe në rajon.
Ky është viti i dytë që IPS “Musine Kokalari” dhe Qendra për Politikat e Emancipimit, në kuadër të platformës Decent Work Balkans, publikojnë një raport të tillë krahasues.