Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se 313 fëmijë nga familjet përfituese të Skemës së Asistencës Sociale do të përfshihen në edukimin e hershëm përmes Programit të Kuponëve.
Sipas saj, Ministria e Arsimit do të mbulojë plotësisht shpenzimet e kopshtit dhe të transportit për këta fëmijë, duke ua lehtësuar barrën financiare familjeve dhe duke rritur përfshirjen në edukimin parashkollor.
Nagavci theksoi se programi është pjesë e zotimit institucional për të zgjeruar qasjen në edukimin e hershëm për fëmijët e moshës 3 deri në 5 vjeç, me fokus të veçantë tek familjet në nevojë.
Ajo falënderoi ministrin e Financave, Hekuran Murati, stafin e MAShTI-t dhe Bankën Botërore për bashkëpunimin dhe angazhimin në realizimin e këtij programi.
“Vazhdojmë me përkushtim për të garantuar qasje të barabartë në edukimin e hershëm për çdo fëmijë,” ka deklaruar Nagavci.
Postimi i plotë:
Për të gjithë fëmijët, mundësi të barabarta
313 fëmijë nga familjet përfituese të Skemës së Asistencës Sociale do të përfshihen në edukimin e hershëm përmes Programit të Kuponëve. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) do të mbulojë shpenzimet e kopshtit dhe të transportit për këta fëmijë.
Ky program është pjesë e zotimit tonë për të rritur qasjen dhe përfshirjen e fëmijëve të moshës 3–5 vjeç në edukimin e hershëm, duke u ofruar familjeve përfituese mbështetje të drejtpërdrejtë dhe konkrete.
Falënderoj ministrin Hekuran Murati, kolegët e MAShTI-t dhe Bankën Botërore për bashkëpunimin dhe angazhimin që ky program të realizohet me sukses.
Vazhdojmë me përkushtim për të garantuar qasje të barabartë në edukimin e hershëm për çdo fëmijë.