Shtesat për fëmijë – Kusari Lila zbulon se sa marrin shtetet evropiane krahasuar me Kosovën

Kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka prezantuar një krahasim ekonomik mbi shtesat për fëmijë, duke theksuar se kur matja bëhet sipas barazisë së fuqisë blerëse (PPP), Kosova del më konkurruese sesa vendet e pasura evropiane.

Sipas saj, shtesat aktuale prej 45 euro për fëmijë në Kosovë përbëjnë një përpjekje reale ekonomike që, në terma të PPP-së, janë të krahasueshme me rreth 141 euro në Mbretërinë e Bashkuar, 162 euro në Gjermani dhe 216 euro në Zvicër.

Kjo, sipas Kusari-Lilës, tregon se Kosova tashmë është afër nivelit relativ të Mbretërisë së Bashkuar, edhe pse mbetet nën përpjekjen e Gjermanisë dhe Zvicrës.

Ajo ka theksuar se plani i Vetëvendosjes për ta dyfishuar këtë mbështetje në 90 euro për fëmijë e vendos Kosovën në një pozitë edhe më të fortë krahasuese. Në terma të PPP-së, kjo shumë do të ishte e barabartë me rreth 282 euro në Mbretërinë e Bashkuar, 324 euro në Gjermani dhe 432 euro në Zvicër.

“Kur krahasimi bëhet drejt, sipas fuqisë reale ekonomike dhe jo thjesht shumave nominale, Kosova me 90 euro për fëmijë do të bëjë një përpjekje ekonomike relative më të madhe sesa Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Zvicra,” ka theksuar Kusari-Lila.

Ajo ka shtuar se kjo qasje dëshmon se politikat sociale të Vetëvendosjes nuk janë simbolike, por të bazuara në analiza reale ekonomike, me synim mbështetjen konkrete të familjeve dhe fëmijëve në Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *