Këngëtari i njohur nga Maqedonia e Veriut, Shpat Kasapi, i cili u nda nga jeta më 26 nëntor 2025, do të përcillet sot për në banesën e fundit.Lajmi është konfirmuar nga familjarët, të cilët me dhimbje kanë bërë të ditur detajet e ceremonisë mortore.
Homazhet për artistin do të zhvillohen nga ora 12:00 në Pallatin e Kulturës në Tetovë, ndërsa ceremonia e varrimit do të mbahet në orën 14:00 në varrezat e qytetit, shkruan GazetaBlic.
“Me hidhërim të thellë kumtojmë ndarjen nga jeta të birit, bashkëshortit, babait, vëllait dhe mikut tonë të dashur, Shpati ishte një zemër e pastër, një shpirt i gëzueshëm që jetonte me këngë në buzë dhe me dritë në sy. Ai përhapte vetëm dashuri e mirësi, dhe kushdo që e njihte, e ndiente ngrohtësinë e tij. Largimi i tij i papritur na ka thyer zemrat. Do të na mungojë zëri i tij i butë, buzëqeshja e sinqertë dhe prania e tij qetësuese. Kujtimi i tij do të mbetet i paharruar për ne”, thuhet në njoftimin e familjes.
Familja ka ftuar të gjithë ata që dëshirojnë t’i japin lamtumirën e fundit artistit të dashur të marrin pjesë në ceremoninë mortore.