Rritja më e fortë e pagave gjatë një viti në Shqipëri është shënuar tek zejtarët, artizanët dhe profesionet e lidhura me to, si dhe tek punëtorët në profesionet elementare, me mbi 10% rritje.
Sipas INSTAT, paga mesatare për një të punësuar në këto profesione arriti 62,200 lekë në tremujorin e tretë të vitit 2025, nga 55,300 lekë në të njëjtën periudhë të vitit 2024. Rritja lidhet kryesisht me mungesën e fuqisë punëtore në këto fusha, që kanë pësuar rënie të interesit dhe reduktim të numrit të punonjësve.
Zanatet dhe profesionet bazë po përballen me mungesë artizanësh për shkak të emigrimit, plakjes së fuqisë punëtore dhe orientimit të të rinjve drejt profesioneve të tjera. Ky boshllëk po reflektohet drejtpërdrejt në rritjen e pagave, si një përgjigje e tregut për të ruajtur funksionimin e sektorëve kyç si ndërtimi, shërbimet dhe prodhimi.
Paralelisht, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit po zhvillon programe për forcimin e formimit profesional dhe rritjen e aftësive në tregun e punës, duke përfshirë trajnime praktike dhe bashkëpunim mes shkollave profesionale dhe bizneseve. Qëllimi është të zbusë mungesën e fuqisë punëtore dhe të krijojë një bazë të qëndrueshme për zhvillimin e tregut të punës.
Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2025, paga mesatare mujore bruto për të gjithë të punësuarit arriti 83,300 lekë, me një rritje prej 7,3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.