Lajm i mirë për punëtorët: Kryeministri paralajmëron rritjen e pagave

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar dy masa ekonomike, rritjen e pagave dhe skemën e re të pensioneve, duke i cilësuar si hapa konkretë për mbrojtjen e fuqisë blerëse dhe sigurinë financiare të qytetarëve.

Në podcastin e tij “Flasim”, Rama tha se nga 1 janari, paga minimale në shkallë vendi është rritur në 500 euro, ndërsa mesatarja e përgjithshme ka shënuar një rritje prej rreth 10% si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.

Rama theksoi se tashmë është vendosur një mekanizëm i ri: indeksi i pagave në sektorin publik çdo dy vite, për të korrigjuar ndikimin e inflacionit.

Një vëmendje e veçantë i është dhënë sistemit shëndetësor, ku nga qershori mjekët dhe infermierët do të përfitojnë shtesa deri në 18 mijë lekë për mjekët dhe 12 mijë lekë për infermierët.

“Po këtu bëhet fjalë për çka na ka munguar si mekanizëm, jo sepse nuk e kemi ditur mungesën, por sepse s’kemi mundur ta adresojmë si pasojë e mungesës së mundësive të ekonomisë. Sot që ekonomia na ka dhënë mundësi të reja, ne kemi vendosur të indeksojmë pagat në sektorin publik çdo dy vite, me mekanizma shtesë për kategori të ndryshme, dhe kësisoj të korrigjojmë impaktin e inflacionit mbi pagën për mësuesit, për mjekët, infermierët, punonjësit e policisë, ushtarakët dhe administratën.

Një vëmendje e veçantë i është dhënë sistemit shëndetësor, ku nga qershori pagat do të rriten edhe në disa shërbime kritike. Mjekët e urgjencës do të trajtohen në të njëjtin nivel me të tjerët edhe për sa i përket rojeve, që janë një ngarkesë ekstra. Ndërkohë, shtesat konkrete do të arrijnë në 18 mijë lekë në muaj për mjekët dhe 12 mijë lekë për infermierët dhe teknikët, të shoqëruara me paga më të larta për turnet dhe një sistem rivlerësimi për përvojën. Është një ndërhyrje e drejtpërdrejtë aty ku përgjegjësia është më e lartë dhe ku sistemi kërkon mbështetje të përditshme. Është një politikë e qëndrueshme, sepse është një rritje ekonomike e qëndrueshme dhe janë mekanizma të nevojshëm, që kjo rritje ekonomike i ka bërë të mundshëm dhe, patjetër, edhe të matshëm në atë që është llogaria e çdo familjeje që jeton me punë të ndershme”, tha Rama.

Paralelisht, kreu i qeverisë prezantoi edhe skemën e rritjes së përvitshme të pensioneve. Ai shtoi se po përgatitet një kolonë komplementare e pensioneve, ku çdo punonjës që zgjedh të kontribuojë me një shumë simbolike, për shembull 1 euro në muaj, do të ketë një kontribut të barabartë nga shteti ose punëdhënësi, duke krijuar një fond individual që i shtohet pensionit ekzistues,shkruan rtsh.al.

“Ideja është shumë e thjeshtë: çdo punonjës që zgjedh të kontribuojë me një shumë të vogël nga paga e tij, për shembull 1 euro në muaj, do të ketë një kontribut të barabartë nga pala tjetër, shteti ose punëdhënësi në sektorin privat. Në këtë mënyrë, kontributi dyfishohet dhe, muaj pas muaji, krijohet një fond individual, i cili i shtohet pensionit që përfitohet normalisht nga kolona e parë, skema ekzistuese.

Kjo nuk është absolutisht diçka “alla shqiptare”, sepse ne nuk bëjmë të tilla; po mësojmë nga përvojat më të mira dhe përpiqemi të sjellim këtu modele të sprovuara. Pra, është një model i mirënjohur që krijon mundësinë e krijimit gradual të një fondi pensionesh, për më shumë siguri për individin dhe për një lidhje më të qëndrueshme mes punonjësit dhe punëdhënësit, shtetit apo privatit. Një mekanizëm sigurie financiare për moshën e tretë dhe, e përsëris, një mekanizëm komplementar që nuk e prek, por e forcon mekanizmin aktual”, theksoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *